Wednesday, August 05, 2009

http://kritikasociale.org/blogs

Tash e tutje, tekstet e mia do të botohen në linkun e sipërm.

Thursday, July 09, 2009

Reaksioni si normë e politikës

Alain Badiou thotë se si filozof, ai nuk e pranon realitetin ashtu siç është, vetëm pse ai është ashtu siç është. Ai niset nga premisa se kapitalizmi nuk duhet të pranohet vetëm se është rend aktual, vetëm pse nuk mund të jetojmë jashtë kapitalizmit si realiteti i vetëm shoqëroro–politik. Sepse është e vërtetë se kapitalizmi është realiteti ynë aktual e objektiv. Por, vetëm ekzistenca e realitetit si i tillë, nuk e bën atë të pranueshëm dhe të domosdoshëm.

Ideologjia zyrtare në Kosovë e koncepton realitetin si diçka që është këtu për të qëndruar përgjithmonë. Realiteti konceptohet si realitet statik, si diçka e dhënë, normative dhe e pandryshueshme në koordinatat e saj kryesore politike. Na thonë se realiteti është ky dhe pastaj pasojnë kualifikimet mbi “realitetin e ri” dhe atë të “vjetër”, me realitetin e dekadës së kaluar, etj. Kësisoji, realiteti fillon e na shfaqet si pengesë, si kufizim arbitrar i dialektikës, si ligj i zhvillimit të vet realitetit. Kjo nënkupton që realiteti, i tillë çfarë është, nuk bën as të kritikohet në themelet e tij.

Në anën tjetër, analistët medial dhe intelektualët institucionalë janë të zënë me arsyetimin dhe racionalizimin e së tanishmes. Krejt çka na thonë ata është se koordinatat bazike të strukturave duhet të ruhen, problemi i Kosovës nuk është problem sistemik, por ajo që ne duhet bërë është ndryshimi i disa njerëzve të korruptuar, të padijshëm, etj. Problemi i Kosovës nuk është problemi i njërit apo tjetrit politikan; sistemi ekzistues politik i riprodhon këta njerëz, të cilët e mirëmbajnë dhe e reprodukojnë atë.

Na thonë se kjo çfarë kemi është më e mira, vetëm se na duhet të punojmë më tepër për ta realizuar dhe materializuar tërësisht sistemin politik; thënë në Hegeliançe, për t’u realizuar mirëqenia shoqërore, realiteti duhet ta arrijë nocionin e vet, që nënkupton realizimin e p.sh. Planit të Ahtisaarit në tërësi, etj. Gabimi i parë është se jeniçerët e neoliberalizmit në çdo argumentim të tyre, si pikënisje e marrin realitetin ekzistues, dhe operojnë mbi këtë premisë. Sepse na thonë që realiteti ekzistues është ajo që ka rëndësi – pragmatizmi brutal është korniza në të cilën ata operojnë.

Në njërën nga ligjëratat e tij, studentët e akuzuan Hegelin se ajo çka ka thënë është tërësisht kundër fakteve. Përgjigja e Hegelit është briliante: mjerë faktet. Dhe ne duhet të bëhemi Hegelian, t’iu themi se nuk na interesojnë faktet mbi të cilat ndërtohet ky realitet. Sepse ky realitet nuk është i yni. Ky realitet, i ndërtuar mbi premisat politike të Planit të Ahtisaarit dhe dizajnerëve të tjerë politik. Rrjedhimisht, ky realitet iu takon atyre dhe natyrisht, kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçit. Dhe me shumë dëshirë ne ua falim atyre realitetin që nuk na takon neve.

Realiteti i Kosovës, në strukturimin e tij shoqëror e politik, është reaksionar. Shumë shokë më kritikojnë për shfrytëzimin e koncepteve si reaksionar, renegat, armik, etj – i konsiderojnë ato si të dala mode, si shumë të ashpra, të kontestueshme, etj. Në rregull, por si mund t’i quani ndryshe, përveç se reaksionare, të gjithë këto forca progresive të vendit, të sublimuara në të ashtuquajturën shoqëri civile (me OJQ-të, mediat dhe institutet si biznese të saj). Shihni aktivitetet e fundit të forcave progresive të vendit në kohën kur vendimi për Kosovën C (e Re) dhe për privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha publike është marrë: ndalimi i përdorimit të qeseve të plastikës, peticioni për të ashtuquajturën liri të shprehjes, etj. Na thonë se me heqjen nga përdorimi të qeseve të plastikës, e ndihmojnë ruajtjen dhe pastërtinë e ambientit. Shumë në rregull, por pasi jemi te ambienti pse nuk luftojnë kundër Kosovës C (të Re) e cila do të jetë ndotësi më i madh i ambientit në Kosovë? Pse nuk luftojnë kundër ndotjes nga termocentralet ekzistuese, kundër copave të hekurit që flutorojnë mbi Drenas nga Ferronikeli (i privatizuar), etj? Rasti i angazhimit kundër qeseve të plastikës është shembull par excellence i reaksionit mikroborgjez.

Rehabilitimi i koncepteve e nocioneve nuk duhet të bëhet vetëm për hir të rehabilitimit të tyre – rehabilitimi i koncepteve si reaksionarë, disiplinë, rend kolektiv, renegat, etj është i domosdoshmëm për ta interpretuar realitetin shoqëroro–politik të Kosovës. Sepse ky realitet shfaqet në formë të dyfishtë: në njërën anë ai është përplot reaksionarë, renegatë, oportunistë, etj, e në anën tjetër nuk ka aspak rend kolektiv, disiplinë, sakrificë, etj. Është shumë e mundur që nëpërmjet kësaj dikotomie realiteti i Kosovës të ndahet në dysh, ashtu siç edhe duhet të jetë: i çarë, jokonsistent, i papërfunduar, etj. Kjo është tipike për kapitalizmin. Ky është edhe problemi i shoqërisë kapitaliste. Megjithë shpirtëmirësinë e progresistëve liberalë, të cilët tentojnë të na e paraqesin shoqërinë si një organizim unik, një totalitet organik i cili na ekziston si Një, megjithatë shoqëria kapitaliste nuk është universale në kuptimin e vlerave që i ajo i përfaqëson, në kuptimin e rishpërndarjes shoqërore të të ardhurave, punës, prodhimit, konsumit, etj.

Të kthehem kthehem tek i ashtuquajturi “realitet i ri” i cili për mua nuk është ndryshe i konfiguruar përveçse si reaksionar. Ky realitet ka një shënjues, i cili e mirëmbanë atë përbrenda: kryeministrin e Kosovës. Në nivelin subjektiv gjendja e Kosovës mund të përkufizohet si: konfuzion i brendshëm; dezorientimit mendor e politik, që prodhon impotencë politike e shoqërore; ardhja e lirive të reja nënkupton servilitet absolut; pasurim të mëtutjeshëm për të pasurit dhe “poshtë të varfërit”. Në librin e tij të fundit “Kuptimi i Sarkozy-së”, Badiou thotë se Sarkozy nuk shënjon një erë të re në politikën franceze, por ai është vazhdimësi e njërës nga dy historitë e Francës – vazhdimësi e Francës reaksionare e për më tepër, vazhdimësi e denjë e Pétainismit. Këtë prezencë të Pétain-it në politikën e sotme franceze, Badiou e quan “transcedentalja e Francës – Pétainismi”. Transcedentalja sipas Badiousë, është një diçka, e cila pa u shfaqur në sipërfaqe, e rregullon hapësirën nga largë dhe mekanizmit kolektiv i jep rend dhe ligj. Pétain i Kosovës së re padyshim se është Ibrahim Rugova. Transcedentalja e Kosovës – Rugovizmi – vazhdon të jetë politika zyrtare e Kosovës. Zgjedhja e Thaçit si kryeministër i Kosovës nuk shënjon një erë të re në politikën e Kosovës: kujtoni premtimet e tij parazgjedhore. Na premtonte lidership të fuqishëm, luftim të korrupcionit dhe “dukurive të tjera negative”, etj. Luante me letrën e frikës dhe rivendosjen e moralit. Loja me moralin, etninë, gjakun, historinë janë gjithnjë të rrezikshme sepse janë reksionare. Janë reaksionare sepse janë të padrejta. Janë të padrejta sepse nuk janë të sakta: të gjitha këto kategori janë të shfrytëzueshme në ato kohë kur hapësira shoqërore është ose e dezintegruar, ose shkon drejtë dezintegrimit – rrjedhimisht është i domosdoshëm një shënjues i cili do ta mobilizonte shoqërinë, do ta konstituonte atë, e kështu me radhë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është mënyra se si e kuptojnë sot shoqërinë. Shoqëria nuk ekziston si diçka unike, si një tërësi, si Një. Konceptimi i shoqërisë si Një, si e Tërë është reaksionare, sepse shoqëria ekziston si produkt i luftës klasore përbrenda saj. Nuk mundet një krah politik ta përfaqësojë popullin, shoqërinë: ajo mund ta përfaqësojë një klasë shoqërore. Sigurisht se Hashim Thaçi nuk më përfaqëson mua dhe shumë struktura të tjera shoqërore që unë i di. Pa dyshim se ne nuk e kemi lutur atë të jetë kryeministri ynë. As të varfërit, punëtorët, të papunët, fshatarët, etj. Ai është përfaqëues i denjë i nouveau riche, kompradorëve dhe mikroborgjezëve. Do të ishte shumë më e ndershme sikur qeveria ta merrte këtë pozicion edhe publikisht. Monopoli mbi popullin/shoqërinë është i papranueshëm.

Koalicioni PDK–LDK po i jep formë të prerë rrymës reaksionare të historisë sonë politike. Qeveria e Kosovës thotë se qëndron si qeveri e progresit, suksesit, etj. Sigurisht se ka sukses në një fushë: ajo suksesshëm po e perfeksionon atë që Badiou e quan “diktatura e tregut”. Domethënë qeveria është shumë e suksesshme në degradimin e mëtutjeshëm të jetës shoqërore. Çështjet ushtarake i takojnë NATO–s, ekonomia i takon spekulantëve financiarë (korporatave që sapo nuk kanë ardhur), neve na takon ajo që nuk e kemi: zhvillimi kulturor, arsimi, etj. Dhe kjo është shumë simptomatike: kultura e arti janë tërësisht të integruara në sistem, nuk ekziston asnjë rrymë alternative e vërtetë në art, film, muzikë. Nuk ekziston as minimumi i rebelizmit emancipues në art. Sindikatat dhe organizimet e punëtorëve janë tërësisht të korruptuara. Në gjithë furtunën e privatizimeve të mëdha, ata janë tërësisht të heshtura, si duket vetëm reflektojnë mbi diktaturën e tregut dhe harrojnë se detyra primare e tyre tani është luftimi i po këtij privatizimi. Korruptimi i brendshëm i sindikatave, i studentëve të UP-së është vetëm sinjal se aleanca ndërmjet punëtorëve dhe studentëve (Maji i 68-tës) është jo shumë premtues. Andaj, në një hapësirë thelbësisht reaksionare si realiteti politik e shoqëror i Kosovës, “subjektet revolucionare” duhet jo vetëm të rizbulohen, por nëpërmjet rizbulimit dhe krijimit të tyre, të krijohet hapësirë e re politike në të cilën këto subjekte mund të veprojnë.  

Botuar në Koha Ditore, 09 korrik 2009


Tuesday, June 16, 2009

Arroganca e kapitalizmit

Zgjedhjet e fundit në Kosovë ishin dëshmia më e pastër se si funksionon koncepti i demokracisë liberale. Raporti ndërmjet “të gjithëve” dhe “jo të gjithëve” funksionoi në mënyrën më të sofistikuar të mundshme. Me rreth 36% të qytetarëve pjesëmarrës në zgjedhje – qeveria e fitoi legjitimitetin e vet politik. Paçka që as gjysma e votuesve nuk kanë votuar për te. Por, kush ju ka thënë se 37% e qytetarëve të Kosovës JANË qytetarët e Kosovës? Çka janë 63% i mbetur? Jo qytetarë? Apo, qytetarë të pandërgjegjshëm, siç klithin liberalët? As njëra, e as tjetra. Por, nëse na është kështu, unë me mburrje pozicionohem në grupin e qytetarëve të pandërgjegjshëm të Kosovës.

Demokracia, ashtu si na prezentohet sot në Kosovë (por jo vetëm) nuk ka të bëjë më asgjë me të ashtuquajturën formulë se “shumica vendosë/qeverisë”. Këtu është me rëndësi që shumica të MOS vendosë. Ose: shumicës nuk duhet t’i ndihet zëri. E zëri dhe artikulimi i alternativës politike si aksion kolektiv, përfundimisht nuk bëhet nëpërmjet zgjedhjeve. Por kjo është problem tjetër.

Çka ka vendosur kjo pakicë e iluminuar, që e ka kryer “obligimin demokratik qytetar” për të votuar? Ajo ka vendosur asgjë më pak se sa zgjedhjen e Hashim Thaçit për kryeministër. Secili kalkulim tjetër është i panevojshëm (jo se alternativa ishte më e mirë, por kjo se bën atë më të mirin). Nuk është aspak me rëndësi se çfarë personi është Thaçi (duke iu referuar të gjitha etiketimeve [jo]publike për te – problemi nuk është tek personi i tij): çështja është çka përfaqëson ai; cili është kuptimi i tërë asaj strukture politike, shënjues i të cilës është Thaçi; dhe poashtu, së fundi, por jo e fundit, çka nënkupton emri i tij si shënjues politik?

Shënjuesi që shprehjen e vet shoqërore e gjen tek emri Thaçi, në fushën e politikës përfaqëson atë rrymë politike që njihet me emrin reaksion. Reaksioni është rryma më e rrezikshme politike, e siç na mëson Marksi, ajo është edhe më e keqe se konzervatorizmi, sepse synon kthimin mbrapa të rrotës së historisë. Por, këtu do të kthehem më vonë. Shënjuesi politik i quajtur Thaçi, përfaqëson denjësisht atë strukturë politike që si fundament të platformës politike e ka pozicionin e Skllavit. Pozicioni i Skllavit në politikë është pozicioni i të degraduarit, i të nëpërkëmburit, i subjektit që e njeh qenien e tij (në këtë rast politike) në nivel të jetës shtazore, e që kusht për ta mirëmbajtur këtë gjendje, është ekzistimi i Zotërisë së tij. Thaçi i ka njohur Zotërinjtë/Padronët e tij: Dukën Piter Faith dhe Dukeshën Tina Kaidanow. Thaçi është subjekt i vetëvetëdijshëm për pozitën e tij. Në fakt, është vetëm kjo pozitë subjektive në të cilën qenia e tij politike mund të funksionojë. Revoltave të studentëve në vitin ’68, Jacques Lacan iu përgjigj kështu: “si subjekte histerike, ju kërkoni një Padron të ri. Dhe do ta gjeni!” A nuk e bëri të njejtën bashkësia ndërkombëtare me ne? Para se të vinte në pushtet, Thaçi gjatë gjithë kohës ankohej e bërtiste për gjendjen shoqëroro–politike të vendit. Histeria është problemi i shtrirjes së subjektit në rendin shoqëror, përkatësisht marrëdhënien që subjekti e ka me Tjetrin e madh qua rendi shoqëror simbolik. Histeriku e “jep” veten për jouissance [kënaqësinë] të Tjetrit – por triku është që ai nuk dëshiron të bëhet objekti i “realizimit” të dëshirës së Tjetrit, por vetëm ta mirëmbajë dëshirën e tij. Pyetjet e tij janë gjithnjë me përceptimin e tij nga Tjetri, si duket ai në vështrimin e Tjetrit, çka dëshiron Tjetri prej tij, etj. Si subjekt histerik, Thaçi nuk ankohej për ta ndryshuar pozitën e vet subjektive karshi Padronit, sepse kjo do të nënkuptonte ndryshimin e subjektivitetit të vet, atë lartësim subjektiv të cilin raporti i tij me Tjetrin e madh nuk ia lejon. Ai ankohej për ta mirëmbajtur dëshirën e Tjetrit (në këtë rast Padronit) dhe për t’ia dëshmuar jouissance [kënaqjen] që ai përjeton nga të qenurit i dominuar. Por, Thaçi nuk është vetëm i dominuar: dhe këtu qëndron i tërë komplikimi. Pozita e tij është ajo e njëfarë skizofrenie politike: në raport me Padronët e tij, ai pozicionohet vullnetshëm si Skllavi, kurse në raport me qytetarët e Kosovës, ai e synon pozitën e Padronëve të tij – ai bëhet Padroni i qytetarëve të Kosovës.

Pra, kur liberalët tanë të përndritëruar kërkonin zgjedhje, a nuk e kërkonin një Padron të ri, të cilin bashkësia ndërkombëtare ua dhuroi? Ndaj kësaj dhurate politike, liberalët përsëri janë histerikë: kërkojnë një Padron të ri, pak më të butë, sepse ky ua cenon lirinë e shprehjes e të mediave. Për këtë, liberalët duhet të presin për vendimin e Padronëve të tyre tranzitivë–logjikë: Feith dhe Kaidanow. Është e dhimshme të jesh liberal.

Cili është dëmi shoqëror që Thaçi po i bën Kosovës? Dëmi i parë dhe më i madhi është i dyfishtë: 1) si kryeministër i Kosovës ai nuk përfaqëson as gjysmën e 37% të qytetarëve; 2) në emër të Kosovës dhe për Kosovën, ai e shpalli pavarësinë e vendit me Planin e Ahtisaarit si bazë politike të saj. Të gjitha veprimet e tjera janë pasoja të kësaj. Është shkruar e është thënë shumë për Planin e Ahtisaarit – janë bërë analiza të thella për dëmshmërinë e këtij Plani. Pjesa e emancipuar e shoqërisë nuk la gjë pa bë kundër këtij Plani. Pakica reaksionare na mundi edhe kësaj radhe. Por, përveç në planit politik, cili është dëmi i madh ekonomik që Thaçi, si student i zellshëm i Ahtisaarit do t’i sjellë Kosovës?

Privatizimi! Unë mendoj se privatizimi është rreziku më i madh politiko–ekonomik që i kanoset Kosovës. Duka Faith dhe Dukesha Kaidanow na thonë se vetëm kështu mund të zhvillohemi ekonomikisht. Ne u themi në rregull, por pse mos ta luajmë lojën e njejtë së bashku: sikur ju në vendet e juaja të hiqni dorë nga nacionalizimi (ose blerja e aksioneve më të mëdha) të bankave që ose kanë falimentuar ose janë drejt falimentimit (si pasojë e krizës financiare) edhe ne do ta bëjmë të njejtën. Ata na thonë se nuk mund të funksionojmë jashtë kapitalizmit. Ne e aprovojmë këtë, sepse vërtetë është tezë e saktë: por pse nuk i vendosim rregullat e njejta të funksionimit të kapitalizmit? Por natyrisht se nuk pranojnë. E çka tjetër bën Thaçi përveç se aprovon gjithçka që i thonë? Por ne, 63%shi nuk duhet ta pranojmë këtë aprovim reaksionar.

Liberalët e moderuar na thonë se KEK–u, PTK–ja, Trepça, Aeroporti, etj nuk duhet të privatizohen tani dhe nuk duhet të privatizohen tërësisht, se shteti duhet të ketë aksione në këto kompani. Arsyetimi: si pasojë e krizës financiare, çmimi nuk do të jetë i levërdishëm, ato do të shitet shumë më lirë se sa çmimi real, etj etj. Kjo pikëpamje nuk është e rrezikshme sa pikëpamja e dukës e dukeshës. Por, te dyjat janë të dëmshme sepse synojnë privatizimin si opsionin e vetëm.

Privatizimi i ndërmarrjeve publike i sjellë Kosovës dëm të dyfishtë: 1) shitjen e pasurive të vendit, që nënkupton se ne i japim vendin koorporatave multinacionale, i ftojmë të na eksploatojnë, të pasurohen nëpërmjet eksploatimit të pasurive të vendit dhe fuqisë së lirë punëtore, dhe njëkohësisht, vendosjen e shtetit në shërbim të këtyre koorporatave (nëpërmjet ndërrimit të legjislacionit, etj) dhe; 2) pasurimin e mëtutjeshëm të njerëzve në pushtet nëpërmjet përqindjeve ose marrëveshjeve të tjera të pista që mesiguri do t’i bëjnë – a thua pse po nxitojnë t’i shesin kaq shpejtë ndërrmarrjet publike?

Privatizimi i deri tanishëm rezultoi me shkatërrimin e (pothuajse) të gjitha ndërmarrjeve shoqërore/publike dhe rritjen e mëtutjeshme të papunësisë dhe rrjedhimisht varfërisë.  Andaj, argumentet se privatizimi sjellë punësim, zhvillim ekonomik, etj janë demantuar tërësisht dhe fuqishëm nga varfëria dhe papunësia në rritje dhe thellim të mëtutjeshëm nga privatizimi. Me urgjencën për të privatizuar gjithçka, a nuk po bëhet linjë zyrtare e qeverisjes thënia “Poshtë të varfërit, Lartë të pasurit”? Arroganca e kapitalizmit të instaluar në Kosovë me vullgaritetin e neuveau riche është e frikshme.

Nëse mercenarët e kapitalizmit arrijnë t’i realizojnë projektet për privatizim – e sidomos privatizimin e ndërmarrjeve me rëndësi kapitale – atëherë unë mendoj se lirisht mund të hapim edhe për Kosovën. Sepse nëse na e kontrollojnë ekonominë, atëherë na e kontrollojnë shtetin. Një aktivist shoqëroro–politik nga Tirana, para pak kohësh kishte thënë se privatizimi i këtyre ndërmarrjeve e humbë kuptimësinë e të gjitha aktiviteteve politike, e madje edhe të bashkimit kombëtar. Ç’kuptim ka shteti pa kontroll dhe pronësi mbi resurset kryesore të ekonomisë? A nuk jemi lodhur të gjithë nga shteti pa substancë i Kosovës: pa ekonomi, pa ushtri, pa kontroll mbi territorin shtetëror, një shtet që si synim ka luftimin e racizmit, aksiomë politike e ka racizmin (ndarjen në etni, etnifikimin territorial, etj).

Shumica e qytetarëve të Kosovës kanë arsye serioze të jenë në depresion. Arsyeja e depresionit tonë nuk është Thaçi si person; arsyeja e depresionit tonë kolektiv është Thaçi si emër. Është ajo frymë e politikës, shërbëtor zellshëm i së cilës është Thaçi.

Botuar në Ekonomia, 16 qershor 2009

Tuesday, May 26, 2009

Babë, unë ekzistoj!

Në traditën e studimeve koloniale, njëra ndër objektet kryesore të studimit është raporti dialektik ndërmjet të kolonizuarit dhe kolonizatorit. Në teorinë e Frantz Fanonit (si shprehja më e lartë e kësaj discipline të dijes), i kolonizuari është i ziu ndërsa kolonizatori është i bardhi. Më duket se te Fanoni, theksi kryesor në këtë ndarje nuk përkon me ngjyrën e lëkurës, sa me pozitën e vetëvetëdijes së tyre në situatën e kolonizimit. Por, edhe nëse ky interpretim i Fanonit nuk është i drejtë dhe i saktë, sidoqoftë duhet insistuar në po këtë lexim të tij. I bardhi dhe i ziu nuk duhet të lexohen në termet raciste të ndarjes në bazë të ngjyrës së tyre, por në nivel të pozitës së tyre në hapësirën politike të një vendi të kolonizuar. Sepse raporti i kolonizatorit me tjetrin e tij, të kolonizuarin, është mbi të gjithash raport i nënshtrimit ekonomik – të tjerat janë pasoja të saj. Këtu nuk po e implikoj tezën ortodokse marksiste, se është baza materiale ajo mbi të cilën ndërtohen strukturat shoqërore, mbi të cilën ngrihet superstruktura shoqërore. Kritika e Althusser, Poulantzas etj këtu është me rëndësi: për Marksin superstruktura ështe ideologjia (si diçka e keqe, që duhet shkatërruar, etj), përderisa Althusser e Poulantzas mendojnë se politika, ideologjia janë po aq të rëndësishme në përcaktimin klasor, sepse klasat sociale janë grupe të agjentëve socialë, të njerëzve të cilët parimisht, nuk definohen ekskluzivisht nga vendi i tyre në procesin e prodhimit, por nga vendi i tyre në sferën ekonomike. Mendoj se duhet të shkohet tutje, dhe të thuhet se për t’u siguruar dominimi dhe eksploatimi ekonomik, një formë e caktuar e organizimit politik është e domosdoshme. Në këtë rast, po flasim për kolonializmin si mjet politik për eksploatimin e vendeve të botës së tretë. Fanon thotë se i ziu është i bllokuar në zezshmërinë e tij; përderisa i bardhi në bardhshmërinë e tij. Këto janë dy pozicionet e tyre subjektive, ose thënë ndryshe, kështu këta pozicionohen në sferën ekonomike dhe politike.Në parathënien e famshme për librin e Fanonit Të Mallkuarit e Botës, filozofi francez Jean-Paul Sartre thotë se pasuria më e madhe që algjerianët e kishin në luftën e tyre dekolonizuese ishte urrejtja për francezët. Në të njejtën kohë, kjo është çka e fascionon Sartre për Fanonin: mënyra se si ai i qaset evropianit (të bardhit, kolonizatorit). Fanon ngrihet subjektivisht MBI evropianin, e injoron atë tërësisht dhe tërë kohën ai i referohet dhe i drejtohet algjerianit për vetveten (këtu “evropiani” dhe “algjeriani” duhet të kuptohen si shënjues, jo vetëm si subjekte partikulare politike). Kur diskutohet për kolonializmin, e sidomos për Kosovën si vend i kolonizuar, përgjigja e parë dhe e vetme është ajo e një cinizmi postmodern, e cila na mëson se megjithatë, sot nuk mund të flasim për kolonizimin, ai i ka takuar shekullit të kaluar, tani jetojmë në epokën e demokracisë liberale, kemi mundësi të zgjedhjes, nuk ka më eksploatim, etj. Ndërsa të tjerët që konsiderohen të jenë radikal në teori, ata që angazhohen në studimet postkoloniale (e cila së bashku me studimet e homoseksualizmit, konsiderohet ndër drejtimet më radikale në akademi) e tëhuajësojnë problemin themelor në atë të problematikës multikultorore: siç thotë Žižeku, “studimet postkoloniale e zhvendosin problemin në të ‘drejtën e tregimit’ të përvojave viktimizuese të pakicave të kolonizuara, të mekanizmave shtetëror që shtypin ‘tjetërsinë’, ashtu që, në fundi i ditës, mësojmë që rrënja e shfrytëzimit postkolonial është mostoleranca jonë ndaj Tjetrit dhe, për më shumë se kaq, që vetë kjo tolerancë është e rrënjosur në mostolerancën tonë ndaj ‘të Huajit në Veten tonë’, në paaftësinë tonë për ta përballuar atë që ndrydhëm në dhe nga vetvetja – lufta ekonomiko-politike, pra, është shndërruar pandjeshmërisht në dramën pseudopsikoanalitike të subjektit të paaftë për përballjen e traumave të tij të brendshme”. 

A nuk është kjo lidhja e qartë, politikisht brutale me realitetin e Kosovës? Hegeli thoshte se skllavi e njeh dhe e pranon Padronin në realitetin dhe dinjitetin e tij/saj njerëzor, përderisa vetvetën e gozhdon në jetën e tij shtazore. Skllavi shfaqet si domosdoshmëri për vetë-vetëdijën e Padronit, dhe “Padroni është vetëdija që ekziston për vetveten”, e jo si një “koncept abstrakt i Vetëdijes”. A është vetëdija jonë SHBA-të? Padroni të cilit në i përkulemi dhe i nënshtrohemi, në raport me të cilin ne e pranojmë nivelin tonë të mjerë politik (ekonomik)? Shembulli më i mirë ishte ardhja e Joe Biden në Kosovë. Harrojini të gjitha përfitimet politike që eventualisht (edhe pse me shumë dyshim) do të vijnë nga vizita dhe premtimet e tij: megjithatë vizita e tij e shpërfaqi gjendjen simptomatike të subjektivitetit tonë politik. Në psikoanalizë kjo quhet histeri. Është ajo gjendje shoqërore, pa ndonjë orientim të qartë, një dezorientim kaotik i hapësirës politike, i shoqërisë si të tillë – në këto rrethana na duhet një shënjues, një Master–shënjues i cili tërë kaosin automatikisht e shndërron në rregull. Ky Master-shënjues nuk është askush tjetër pos Babës. Mënyra se si kaloj vizita e Biden në Kosovë ishte pikërisht sublimimi i përpjekjeve tona të parreshtura histerike për ta identifikuar Babain. Sepse si histerikë, ne e japim vetveten për kënaqësinë e Tjetrit, pyesim pa rreshtur se si dukemi në vështrimin e tij, çka kërkon ai prej nesh, etj (kujtoni komentet në web-faqet për ardhjen e Biden). Por, çka gjeti Biden në Kosovë, përveç atij tmerri artistik dhe aplaudimeve e qeshjeve frenetike e të pashije? Atë që realisht e priste. Nevojën tonë, ose domosdoshmërinë tonë politike për të pasur një Babë, një Babë i cili na orienton, na mëson, na qorton, e nganjëherë edhe na shpërblen me ndonjë përqafim atëror. Atë edhe e bëri. Konceptet politike, tipike për të kolonizuarin, si miqësia, miku ynë, njohësi i realitetit politik të Ballkanit, përkrahja, etj, nuk duhet të lexohen përtej fjalorit tonë folklorik politik, për konsum të brendshëm. Babai ynë na e konfirmoi statusin tonë politik – por cilin? Atë që Žižeku e quan “subjekte toksike”, njerëz që përkrahen vetëm përderisa janë subjektivisht të depolitizuar, kur jemi të viktimizuar – pra, Babai ynë e dëshiron një Kosovë të privuar nga substanca reale e shtetit, shtetin e Kosovës si një jo-shtet, ose siç e quajti Žižeku në ligjëratën në Prishtinë gjatë javës së kaluar, një Kosovë pa kofeinë (kofeina këtu e ka kuptimin e substancës së privuar nga forma, si produket që i gjejmë në treg: kafe pa kofeinë, birrë pa alkohol, etj). Po në këtë linjë duke iu referuar ligjëratave të javës së kaluar, ne duhet bërë gjithçka që të mos nxihemi në ëndrrën liberale perëndimore, në pështirësitë e tyre mbi Kosovën. Ose thënë ndryshe, pasi nuk mundemi të ngrihemi objektivisht mbi ta, atëherë ngritja ose lartësimi ynë subjektiv është domosdoshmëri politike. Babën duhet ta shpallim të vdekur. Sepse siç thotë ajo thënia e vjetër: i vetmi Babë i mirë është Baba i vdekur.

Botuar në Koha Ditore, 26 Maj 2009

Thursday, May 14, 2009

Sa do të jetë e majtë Partia Socialiste?

Më në fund një lajm i mirë në skenën politike të Kosovës. Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) vendosi të dalë publikisht dhe ta realizojë atë që të gjithë e dinë për LPK-në: të pozicionohet (së paku deri tani) deklarativisht në kampin e majtë ideologjik dhe kështu, të shndërrohet në Partinë Socialiste të Kosovës. Nëse i lexoni reagimet ndaj kësaj ngjarje, shumica e tyre e shfaqin provincializmin e vet politik. Nuk është për t’u befasuar se shumica e lexuesve shpirtmirë vendosnin paralele me Partitë Socialiste të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën (sa për dijeninë e tyre, gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, shumica e qeverive të vendeve anëtare të NATO-s ishin parti të majta), me Enver Hoxhën ose Fatos Nanon, Millosheviqin, etj. Pra, dikotomia e cila vendosej ishte kësi soji: e Djathta është pro–shqiptare, e Majta është anti–shqiptare. Ky provincializëm politik, sikur të mos ishte kaq prezent në jetën tonë shoqërore, nuk do të ishte i denjë për t’u marrë seriozisht. Në rastin më të mirë, ky pozicionim politik është i neveritshëm.

Kundër–veprimi ndaj kësaj djerrine politike duhet të bazohet në një fakt të rëndësishëm historik e politik – roli i Internacionales së Tretë Komuniste për mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, dhe roli i Bolshevikëve në te. Në fillim të shekullit të kaluar, inteligjenca shqiptare kishte admirim të veçantë për Leninin dhe Bashkimin Sovjetik. Kujtojeni letrën e Bajram Currit drejtuar Leninit në vitin 1920 duke i shpjeguar atij përpjekjet e Kosovës për çlirim. Siç thekson historiani Kristo Frashëri, shpresat e Kosovës për çlirim ishin lidhur te lëvizja socialiste ndërkombëtare dhe me politikat e Bashkimit Sovjetik në veçanti. Në atë kohë Shqipëria ishte e rrezikuar nga forcat imperialiste të vendeve fqinje, të cilat deri para Revolucionit të Tetorit, përkraheshin nga carizmi rus. Në Kongresin e Miqve të BRSS-së, të mbajtur në Leningrad në nëntor të vitit 1927, në krye të delegacionit shqiptar ishte Fan Noli, i cili në fjalimin e tij në Kongres, e shprehte admirimin për vendin e vetëm të udhëhequr nga klasa punëtore. Noli e njeh shekullin (e kaluar) si “rendi i Unionit Sovjetik” dhe Bashkimin Sovjetik si “atdheun e përgjithshëm të të gjithë proletarëve”. Noli shkon tutje, duke thënë se “duhet të proklamojmë me zë të lartë se Unioni Sovjetik është vendi i vetëm në botë ku robërimi dhe eksploatimi i njeriut prej njeriut janë të aboluara në të gjitha format, ku nja njëqind nacionalitete gëzojnë një liri e një legalitet të plotë, e së paku prej kësaj pikëpamje Unioni Sovjetik është i vetmi Shtet i Civilizuar i botës, i vetmi oaz human në një shkretëtirë barbarizmi e brutaliteti”. Arsyeja tjetër në mos edhe më e rëndësishme ishte edhe shpallja dhe denoncimi nga bolshevikët rusë në vitin 1918 të Traktatit të Fshehtë të Londrës dhe për deklaratën e tyre se Rusia Sovjetike do të ndiqte një politikë në favor të gjithë kombësive të vogla. Por, e gjithë lëvizja e partive socialiste të Evropës, e grumbulluar dhe organizuar rreth Internacionales së Tretë Komuniste (Kominterni në Moskë 1919) ishte e angazhuar kundër aspiratave imperialiste të shteteve fqinje ndaj Shqipërisë. Këtu është me rëndësi roli progresiv i Partisë Socialiste Italiane, e cila ishte kundër aneksimit të Vlorës nga Italia dhe përveç mocioneve në parlament dhe shkrimeve të shumta nëpër gazetat progresive të kohës, ata organizuan edhe mitingje nëpër qytete të Italisë, më masivi ndër të cilët ishte ai i Romës me 25 qershor 1920, në të cilin u përfshinë edhe batalione të ushtrisë italiane. Suksesi ishte: qeveria e Italisë shpalli se nuk do të dërgonte trupat në Shqipëri.

Natyrisht, këtu po flas për Bashkimin Sovjetik të Leninit. Por, ideja është që identifikimi i së majtës me anti–shqiptarizmin nuk duhet të merret seriozisht, sepse nuk është asgjë më shumë se sa një dokërr e gërditshme ideologjike.

Në këtë moment aspekti më i rëndësishëm i krijimit të Partisë Socialiste të Kosovës për mua është fakti që ajo intervenon si një ndërhyrës i jashtëm në këtë skenë reakcionare politike, e cila nuk është në gjendje të prodhojë kurrëfarë politike emancipuese. Si duket, disa maska të pështira ideologjike do të fillojnë e të zhvishen. Ndoshta kjo edhe do ta tronditë pakës skenën politike duke i marrë në rradhët e veta disa deputetë si Hydajet Hyseni, Berat Luzha e ndoshta edhe vet kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqin. Këtu do ta kenë rastin të dëshmohen nëse janë sinqerisht të majtë apo vetëm oportunistë politikë. Të shpresojmë që ky intervenim në skenën politike së paku do ta prishë pakës balancin ekzistues (të mos harrojmë se PSK-ja hipotetikisht mund të krijojë një numër deputësh në Kuvendin e Kosovës).

Por, cilat janë detyrat dhe vështirësitë e Partisë Socialiste të Kosovës? Parimisht, rreziku më i madh është në keqshfrytëzimin e emrit. Këtu ndeshemi me raportin formë–substancë. Është shumë e mundshme që Partia Socialiste e Kosovës (PSK) ideologjikisht nuk do të përmbajë premisat ideologjike të së majtës, por të hyjë përsëri në koalicion me PDK-në (apo cilën do parti tjetër të madhe). Akti i parë që duhet të bëjë është i dyfishtë: distancimi nga e kaluara e tyre ideologjike (lidhjet me enverizmin) si dhe distancimi dhe largimi nga koalicioni ekzistues me PDK–në. Kjo do t’i krijonte parakushtet e domosdoshme për profilizim të vërtetë socialist. Jam plotësisht i vetëdijshëm për problemet në të cilat ajo do të hasë që në fillim me realitetin shoqëror e politik. Të gjithë do ta akuzojnë PSK–në për gjithçka, duke filluar që nga enverizmi, lidhjet me Rusinë, Millosheviqin, e çka jo tjetër. Por, nëse programi i saj ideologjik do të jetë vërtetë i majtë, atëherë cinikëve duhet përgjigjur sikurse Horaci: “për ju flet përralla, vetëm se emri është ndërruar”.

Partia Socialiste e Kosovës duhet të pozicionohet fuqishëm dhe qartë kundër të gjitha strukturave kolonizuese ndërkombëtare (duke e përfshirë edhe KFOR-in). Nëse në raport me këto struktura PSK-ja do të bëjë kompromiset e para, atëherë ajo e humbë çdo element emancipues. Detyra po aq të rëndësishme do ta presin në raport me privatizimin e ndërmarrjeve publike (sidomos me privatizimin e KEK-ut, PTK-së dhe aeroportit) si dhe për termocentralin Kosova C. Detyrë po aq imediate është rikthimi i fondeve të kursimeve pensionale nga bankat e huaja, fondin e privatizimit, etj. Do të ishte shumë me rëndësi nëse PSK-ja nuk do të ishte aq entuziaste si Qeveria e Kosovës për anëtarësimin në Fondin Monetar Ndërkombëtar (dhe së shpejti në Bankën Botërore). 

Këto janë vetëm disa nga çështjet më të rëndësishme me të cilat do të duhej të merrej shumë seriozisht Partia Socialiste e Kosovës. Nëse programi i saj politik do të jetë në shpërputhje me emrin e saj (shihi partitë e tjera të të ashtuquajturit krah i majtë si ORA e PSD), në kohët e vjetra ajo do të ishte akuzuar për revizionizëm. E nëse kjo ndodhë, pse mos ta akuzojmë PSK-në edhe tani për revizionizëm, duke e pasur parasysh që ajo do ta djegë përmbajtësisht formën, pa të cilën substanca është realisht e pamundur.

Botuar në Koha Ditore, 14 Maj 2009

Saturday, April 11, 2009

Pamundësia e debatit

Po filloj me fundin e reagimit të Xenit. Ai më bën thirrje të zbres për toke. Ai konsideron se unë ekzistoj dhe qëndroj dikund në një hapësirë tjetër nga ajo e realitetit shoqëror. Për më tepër, Xeni konsideron se unë qenkam rob i disa “skemave bajate të mendimit”, se mendimi im qenka i dalë mode, qenka operativisht i pasuksesshëm, objektivisht i pamundur, etj. Pra, nëse “rënia për toke” e nënkupton rënien në pozicionet teorike e politike të Xenit, atëherë unë këtë e kundërshtoj fuqishëm dhe nuk do ta pranojë asnjëherë. Sepse rënia në këtë pozicion është rënia në cinizmin postmodernist, të cilin unë e kundërshtoj fuqishëm. Por, për këtë pak më vonë.

Si më portreton mua Xeni në tekstin e tij? Duke tentuar të ngritet subjektivisht mbi mua, ai provon ta okupoj pozicionin e Babës. Unë qenkam një fëmijë i paditur, një fëmijë i cili duhet të mësohet, të shkollohet, etj. Ai tenton që ta krijojë përshtypjen se ai na qenka superior, dhe rrjedhimisht e shmangë debatin, duke e evituar trajtimin e argumenteve dhe rrjedhimisht, përfundon në diagnoza psikiatrike. Por, të kaloj drejt e në argumentet e mia.

Duke u nisur nga definicioni bazik i Lacan për të çmendurin, unë them se politika dhe pozita e Shqipërisë do të mbetet e tillë, sepse ajo beson që me intergrimin në NATO është bërë më e fortë. E Shqipëria nuk do të bëhet më e fortë, por do të bëhet më e varur dhe më servile. Kujtoni deklaratat e Sali Berishës në Bruksel, kur fliste se si Shqipëria do të duhej të jetë edhe më aktive në përmbushjen e obligimeve të veta dhe synimeve e qëllimeve të NATO-s. Pra, assesi nuk bëhet e kundërta, pyetja në të cilën unë pata insistuar qysh në tekstin tim të parë: çka realisht po fiton Shqipëria nga integrimi në NATO, përveç që tani detyrohet të marrë pjesë në misione e në lufta në skuta të botës ku Shqipëria edhe shqiptarët nuk kanë asnjë interes? Përgjigjia që Xeni tenton ta jep është ajo e humanizimit të NATO-s, natyrisht duke na e përkujtuar intervenimin e NATO-s në Kosovë. E Xeni e përsëritë disa herë këtë thënie, duke e përdredhur dhe keqinterpretuar në mënyrë të pështirë.

Ai më portretizon si të çmendur, të padijshëm të vetmuar në pozicionin tim kundër NATO-s. Pra, unë qenkam njëfarë Don Kishoti, që e pasna “huqur rrugën”, i shërbyer me ide të vjetra, etj. Duke i denoncuar “idetë e mia të vjetra” ai përfundon i zënë në fantazinë e tij. Çka bën Xeni këtu është ballafaqimi me të kaluarën e tij ideologjike (e cila në rastin më të mirë është ajo e njëfarë kuazi/gjysmë disidenti, siç thonë ish shokët/kolegët e tij filozofë të ish-Jugosllavisë). Padyshim se Xeni e njeh më mirë se unë teorinë të cilën unë e shfrytëzojë, dhe këtu fantasia fillon e përdredhet. Me fantazi po nënkuptoj atë substancë, atë diçka, e cila e konstituon realitetin tonë shoqëror. Duke e marrë në konsideratë këshillat e tij se duhet të jem më i kujdesshëm në operimin me psikoanalizën, më duhet me keqardhje të them se Xeni ka rënë në grackën e vet. Ai thotë: “njëri prej simptomave kryesore të skizofrenisë është anashkalimi i plotë i realitetit dhe i rregullave shoqërore, kur individi humb fijen e arsyes dhe mendon se vetëm ai ka të drejtë, kurse e gjithë bota e ka gabim”. Tradita psikoanalitike na e dëshmon të kundërtën, sepse njëra ndër simptomat e skizofrenisë është edhe projektimi i fantazisë te tjetri. Është interesant se si ai më akuzon mua për shërbim me ide të vjetra, kur ai ato i njeh shumë më mirë se unë.

Lexojeni fjalinë tjetër të Xenit. Ajo thotë se “Bota e sotme ballafaqohet me shumë rreziqe dhe s’do mend se jemi dëshmitarë të qarkullimit dhe veprimit të ideologjive dhe lëvizjeve që kërcënojnë jo vetëm rendin dhe stabilitetin, por edhe mbijetesën e njerëzimit”. Kjo fjali të përngjanë në ndonjë deklaratë të George Bushit në Irak. E të kthehem në atë që e thashë më herët: vetëm cinizmi postmodern ia lejon Xenit të gjitha këto kontradikta të brendshme në tekstin e tij, këto inkonsistencë të qëndrimeve të tij. Definimi bazik i skizofrenisë është çarja e mendjes në dysh. A nuk është pozicioni i Xenit teoretikisht skizofrenik?

Dhe në këtë frymë, Xeni e mbyllë debatin dhe rrjedhimisht, e pahtëson pozicionin e tij të jo-intelektualit (për të qenë i butë, nuk po them anti-intelektualit). Për këtë arsye, mendoj se fryma të cilën Xeni e instaloj në debat, duke u marrë me personin tim, e jo me argumentet e mia (kjo quhet hyrje në ideologji) e pahtëson hendekun midis tij dhe një debati të mirëfilltë intelektual.

Botuar në Express, 11 Shkurt 2009

Wednesday, April 08, 2009

NATO në botën post-ideologjike

Shkelzen Maliqi për NATO-n nuk është befasues. Si pothuajse gjithnjë, ai është në pajtueshmëri me pozicionin e tij politikisht korrekt. Rrjedhimisht, kjo nuk është arsye për të reaguar. Por, mënyra se si Maliqi i referohet tekstit tim për të kritikuar pozicionin tim karshi intergrimit të NATO-s është i papranueshëm. Jo për çka thotë Maliqi por, për si e thotë.

Një përshkrim i shkurtë i tekstit: ai fillon me një analizë mbi problemet e sigurisë globale dhe e konfirmon bindjen e përgjithshme për NATO-n si polic të saj, për t’u reduktuar në problemet e sigurisë së rajonit. Dhe në fund, merret me pozicionin tim, duke më kualifikuar mua (dhe rrjedhimisht pozicionin tim) si paranoik, një mbeturinë e socializmit, i cili ende beson në luftën e ftoftë, në dallimet ideologjike, në NATO-n si mbrojtëse të neoliberalizmit, etj. Por, këtu Maliqi ka rënë në një grackë: unë plotësisht pajtohem me pjesën e dytë, pra besoj fuqishëm në dallimet ideologjike, besoj se ideologjia është në funksion dhe është më e ashpër se kurrë – sikur të mos eksiztonte ideologjia dhe lufta ideologjike, atëherë as NATO nuk do të ekzistonte, sepse ajo nuk do të kishte nevojë të mbrohej nga askush, përveç se nga vetvetja. Sa i përket aspektit klinik të paranojës, shokët e mi psikoanalistë ma konfirmojnë të kundërtën dhe këtu zgjedhi t’iu besoj atyre.

Por, që ky debat të mos mbetet në nivel të diagnostifikimit të ndrydhjeve të mia libidinale dhe neurozave, po tentoj që në këtë tekst të shkurtë t’i përgjigjem brengave të mikut tim praktik por, armikut ideologjik (politik).

Nëse Maliqi mendon se jo gjithçka duhet të shikohet nën prizmin e ideologjisë, atëherë ai bjen në kundërshtim me argumentin kryesor të teksit të tij. Sepse ai ka nevojë ta arsyetojë atë. Sikur të mos jetonim në një botë e cila është më ideologjike se kurrë (dhe këtu komediani Fukuyama ka të drejtë), nuk do të kishim “sigurinë”, “tolerancën”, “multikulturalizmin/etnicitetin/” si doktrina themelore të administrimit të jetës “post-politike”. Në anën tjetër, nëse Maliqi rastësisht implikon se lufta ideologjike ka ndërruar formë dhe zhvillohet në dimensione të tjera, atëherë pajtohem plotësisht dhe për më tepër, do ta falenderoja për mbrojtjen e argumenteve të mia.

Ai thotë se “NATO është një organizëm kompleks, i strukturuar me elemente të shumta të kontrollit dhe superkontrollit të brendshëm, ku zgjerimi i anëtarësisë të kësaj aleance duhet të shihet si një rrugë që çon drejtë krijimit të një sistemi global të sigurisë i cili duhet të sjellë zvogëlimin e armatimit dhe të rrezikut, dhe jo vazhdimin e armatimit deri në irracionalitet dhe çmenduri”. Këtë konstruktim do ta kishin lakmi të gjithë ekspertët për siguri, mbrojtje, dhe të gjitha fushave të Reja të “dijes”. Kjo duket se është një përpjekje për t’ia zbutur vetvetës bindjet e veta për këtë çështje, se megjithatë “nuk është edhe shumë keq”. Por, parimisht e pranon se është keq. Dhe këtu Xeni prapë bjen në një grackë tjetër: atë të dekonstruksionizmit Derridian, ku gjithçka duhet të formulohet me distanca retorike, me distanciim, tendenca që mos të identifikohet (por megjithatë mbetet i identifikuar) etj.

Por, pyetja fundamendale megjithatë mbetet kjo: PSE ai e arsyeton integrimin? Arsyetimi i tij është se tani edhe Shqipëria, edhe rajoni e edhe bota janë më të sigurtë (rezultati i kësaj deklaratë ne diagnostifikimin psikoanalitik nuk do të ishte i mirë për Maliqin). Por, ku dhe si qëndron SOT Shqipëria? Definicioni bazik i Lacanit për të çmendurin është: i çmendur nuk është vetëm lypësi i cili mendon se është mbret, por edhe mbreti i cili mendon se vërtetë është mbret. Shqipëria është lypësi i cili mendon se u bë mbret (me integrimin në NATO). Por unë mendoj se Shqipëria do të mbetet vetëm e çmendur.

Kur unë e kundërshtoj integrimin e Shqipërisë në NATO, nuk e kam për bazë të kaluarën e saj socialiste. Qëndrimet e mia ideologjike nuk përkojnë aspak me politikën zyrtare të Enver Hoxhës, por nuk bijë në grackën liberale të gjykimit të saj si totalitare dhe me kaq, të përfundohet debati. Por kjo është çështje tjetër. Kundërshtimi im për integrimin e Shqipërisë në NATO fillon dhe mbetet mbi premisën se po bëhemi kukulla të Perandorisë (rrjedhimisht jeniqerë), po bëhemi vegël e ideologjisë në të cilën, thënë cinikisht, kërkush përveç shqiptarëve më nuk beson (shihi vendimet nga mbledhja e G20). Regjisori Stanley Kubrick thotë se popujt e mëdhejnë sillen si gangsterë, kurse popujt e vegjël si prostituta. Dhe, ne po e vërtetojmë këtë thënie në mënyrën më sublime.

Për më tepër, Maliqi këtu prapë është kontradiktor, sepse përderisa thotë se tani jemi më të sigurtë, nënkupton se ekziston Tjetri që është armik potencial i botës dhe civilizimit tonë. Prapë Maliqi është nxënë në ideologji. Por, çka do të thotë të jesh i nxënë në ideologji? Sipas Althusserit, ideologjia ka ekzistencë materiale, e manifeston vetveten nëpërmjet aksioneve (aparateve dhe praktikave të saj). Pra, ajo është relacioni imagjinar i individit me kushtet reale të ekzistencës së tij. Sipas Althusserit, kjo do të thotë se ideologjia nuk e keqinterpreton realitetin, por vetveten në realitetin shoqëror si të tillë.
Për ta bërë këtë asaj i duhen aparatet represive dhe aparatet ideologjike shtetërore. I ndikuar nga Gramsci, i cili e ndanë ideologjinë në dominim (policia, forcat e armatosura në përgjithësi) dhe hegjemoninë (e cila nënkupton dominimin por diçka edhe më kruciale – pëlqimin/konsensusin). Dhe realisht, Maliqi nuk bën asgjë përveç se mbetet vegël(aparat) ideologjik i ideologjisë zyrtare.

Në fund (por jo së fundi), është e dhimbshme të shohësh se si Maliqi e shfrytëzon kritikën time si trampolinë për ta mbrojtur pozicionin e tij të dobët që nuk bën asgjë pos trumpeton ideologjinë dominante politike të partive në pushtet.